Nuk janë të rralla rastet kur Policia gjen dhe sekuestron armë tek të miturit kosovarë. Kjo dukuri shqetësuese dhe mjaft e rrezikshme, ka prekur të gjitha qytetet e Kosovës, ku vazhdimisht në Polici raportohen raste të ndryshme. E një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në fshatin Nadakovc të komunës së Vushtrrisë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se drejtori i shkollës fillore në këtë fshat, ka marrë informacione se disa nxënës mund të posedojnë gjëra të kundërligjshme.

Në përcjellje të tyre, ai ka kapur mat një 10-vjeçar tek i cili ka gjetur një armë tytëshkurtër.

Lidhur me këtë ai menjëherë ka njoftuar organet e rendit, ku njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë konfiskuar armën që u gjet tek i mituri.

Po ashtu është shoqëruar në stacion policor për intervistim babai i fëmijës, i cili u përgjigj në pyetjet e hetuesve në cilësinë e të dyshuarit.

Me vendim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.