Disa qytetarë shqiptarë në veri të Mitrovicës kanë deklaruar se nuk do të paguajnë rrymën e shpenzuar, nëse paratë e tyre i shkojnë një kompanie serbe. Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia kanë arritur te një dakordim, që i hap rrugë faturimit të rrymës në veri.

Disa banorë shqiptarë në veri të Mitrovicës thonë se nuk do ta paguajnë rrymën nëse paratë e tyre shkojnë në ndonjë kompani serbe

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordim, që i hap rrugë faturimit të rrymës në veri, pas 23 vjetësh.

Hilmi Avdullahu, banor i Lagjes së Tre Rrokaqiejve thotë se do të paguajnë vetëm nëse paratë shkojnë në fondin e Kosovës.

“Do ta pagujmë, por do të paguajmë nëse (paratë) shkojnë në fondin e Kosovës, ndryshe jo. Po them, nëse është me ligj të Kosovës dhe paratë shkojnë në fondin e Kosovës, do ta paguajmë, ndryshe jo”, thotë Avdullahu.

Edhe Faik Haziri nga Lagjia e Boshnjakëve thotë se pagesa do të duhej t’i bëhej KEK’ut.

“Do të ishte dashur që nëpërmjet shtetit tonë t’i bëhet pagesa elektro-distribucionit tonë KEK-ut- e jo tjetërkujt. Nuk e di si janë marrë vesh. Janë udhëheqësit tanë që janë marrë vesh në Bruksel. Ata e dinë më mirë”, ka deklaruar Haziri për REL.

Mendim të njëjtë me Hazirin ndanë edhe Sadri Dibrani, i cili banon në të njëjtën lagje.

“Besoj se nëse është arritur marrëveshja, ashtu siç po e lexoj unë…në qoftë se ato para, ajo kompani duhet t’i dorëzojë në KEDS ose KEK…ajo është mirë. E në qoftë se ata (Serbia) e kanë nën kontroll, ajo nuk është mirë”, thotë Dibrani.

“Në, vetëm institucioneve të Kosovës ua paguajmë. Unë si shqiptar, vetëm institucioneve shqiptare ua paguaj. Ku është me vulë shqiptare, po mendoj të Kosovës – aty paguaj. Të tjerat nuk vijnë në konsideratë”, ka deklaruar një tjetër.

Me ndërmjetësimin e BE’së, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për zbatimin e marrëveshjes për energji, të arritur qysh në vitin 2013. Me këtë marrëveshje parashihet licencimi i kompanisë Elektrosever, e cila është në pronësi të Serbisë, por është themeluar sipas ligjeve të Kosovës.

Elektrosever do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Qytetarët në këtë pjesë nuk paguajnë rrymë qysh në vitin 1999.

Deri më 2027, borxhin e tyre e kanë paguar qytetarët e komunave tjera, ndërsa, më vonë, kjo përgjegjësi ka kaluar te Qeveria e Kosovës./rel