Sllovenia rikonfirmon gatishmërinë për ta ndihmuar Kosovën në zhvillimin bujqësor

Ekonomia October 01, 2021 – 13:57

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka pritur sot në një takim ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic, me të cilët ka diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim të mëtejmë në sektorët që mbulohen nga MBPZHR-ja.

Gjatë këtij takimi, Peci ka prezantuar prioritetet dhe projektet zhvillimore, të cilat planifikohen të realizohen gjatë këtij mandati, që sipas tij do të jenë në funksion të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së këtij sektori.

“Ekspertiza sllovene është e mirëseardhur, qoftë në shkëmbimin e përvojave për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, ashtu edhe në arritjen e kritereve të IPARD-it në mënyrë që Kosova të ketë qasje direkte në fondet e Bashkimit Evropian për avancim të sektorit të bujqësisë”, ka thënë Peci, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Duke e falënderuar shtetin slloven për mbështetjen e vazhdueshme që e ka dhënë për Kosovën, ministri Peci ka shtuar se të dyja vendet kanë shumë mundësi bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe bujqësisë në veçanti.

Në këtë takim ata u pajtuan që të krijojnë partneritete të reja mes të dyja shteteve, me qëllim të krijimit të mundësive për bashkëpunim mes afaristëve nga Kosova dhe atyre nga Sllovenia duke nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi mes dy shteteve në të ardhmen, me qëllim të avancimit të sektorit të bujqësisë dhe pylltarisë.

Në anën tjetër, ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic, shprehu gatishmërinë e saj për të thelluar edhe më tej partneritetin mes MBPZHR-së dhe Ambasadës së Sllovenisë në Kosovë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të Kosovës. /Zëri