Paul Merson, ish-futbollisti i Arsenalit, ka komentuar në gazetën spanjolle AS shkarkimin e Ole Solskjaer nga pankina e Manchester United. Merson tha se i vinte keq për Solskjaer, duke nënvizuar sesi trajneri kishte një rrugë të mirëpërcaktuar tashmë nga sezoni i kaluar, por gjithçka ndryshoi në fundin e gushtit:

“Më vjen keq për Solskjaer, sepse ishte e qartë se ai kishte një plan të mirëpërcaktuar për skuadrën që nga ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar, ku përfundoi në vendin e dytë”.

Ish-mesfushori anglez nuk i ka kursyer fjalët, duke treguar se me nënshkrimin e Cristiano Ronaldos filluan problemet e “Djajve të Kuq”: “Dhe më pas, në ditën e fundit të merkatos së verës, vjen Cristiano Ronaldo. Kjo lëvizje shkatërroi gjithçka. Nuk mund të luash në kundërsulm me Ronaldon. Këtë sezon, Bruno Fernandes nuk ka prekur asnjë top.

Mos më keqkuptoni, Ronaldo është një nga lojtarët më të mirë në botë, por ai është thembra e Akilit në këtë ekip”.