Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Kjo do të jetë seanca e parë gjyqësore për këtë rast në vitin 2022.

Seanca e fundit ndaj Gucatit e Haradinajt ishte më 15 dhjetor.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020, prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.