Zhdukja e një 19-vjeçareje në Prizren dhe mesazhet kërcënuese që i mori babai i saj kur vajza u largua nga shtëpia tronditën familjen nga lagjja Arbanë. Kjo bëri që ai të kërkojë ndihmë nga Policia që të hetohet se çfarë ka ndodhur me të bijën. Por ajo çka u zbulua e shokoi babain e saj.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjithçka nisi kur në telefonin e babait të 19-vjeçares shkuan disa mesazhe ku thuhej se “çikën e kë të zhdukur, e ka gjetë cka e ka lyp”.

I shqetësuar skajshmërisht për fatin e vajzës, ai u nis për në Polici, ku dha deklaratë se kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe ku ka qenë. Si rezultat i denoncimit, Policia u aktivizua për të kërkuar vajzën dhe u iniciua rast me urdhër të Prokurorit.

Sinjli meson se e gjithë kjo doli të jetë ajo që s’e priste as babai e as familjarët e tjerë të vajzës. Ishte një inskenim, që u planifikua nga 19-vjeçarja, që tentoi t’ia hedh familjes për zhdukjen e saj.

Rasti u zbulua kur Policia gjeti vajzën dhe u kuptua se mesazhet që i kishte pranuar babai i saj ishte ajo që ia ka dërguar.

Pas intervistimit të saj në cilësinë e të dyshimtës, Prokurori ka urdhëruar nisjen e hetimeve për kallëzim të rremë.