Ditën e sotme (e mërkurë) në Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë është shpallur ditë zie në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që humbën jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari.

Megjithatë, e njëjta gjë nuk ndodhi edhe me shtetin e Shqipërisë gjë që bëri të ketë një reagim nga artistja e njohur, Besa Kokëdhima.

Kjo e fundit përmes një postimi të shpërndarë në InstaStory ka cekur shtetet që shpallën ditë zie shtetërore, duke shtuar se është turp për këtë që bëri Shqipëria.



“44 bashkëkombas humbën jetën. Bullgaria, Maqedonia e Veriut & Kosova kanë shpallur ditë zie. Po shteti amë? Turp”, u shpreh Kokëdhima.

Mëngjesin e djeshëm autoritetet bullgare raportuan se të paktën 45 veta vdiqn kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.



Autobusi, me targa të Maqedonisë së Veriut, me udhëtarë që po ktheheshin nga Turqia, u dogj rreth orës 02:00 dhe në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë.

Motivet e këtij aksidenti janë ende të paqarta, por që autoritetet theksuan se tani kanë nisur një hetim.