Manchester Unite duket se po negocion për të marrë në ekip Tom Huddlestone. Mesfushori 35-vjeçar është pa ekip pas largimit nga Hull City në fund të sezonit të kaluar.

Sipas Telegraph, Djajtë e Kuq i kanë ofruar Huddlestone një rol si lojtar-trajner me ekipin Under 21. Pozicioni do të ishte i ngjashëm me atë të mbuluar nga Paul McShane sezonin e kaluar.

Ish-lojtari irlandez është tërhequr nga futbolli i luajtur, por vazhdon të punojë tek United si trajner për zhvillimin e të rinjve. Lëvizja për Huddlestone duket se ka ardhur papritur.

Gjithsesi, tifozët e Djajve të Kuq mund të jenë të qetë sepse ai nuk konsiderohet një alternativë për Frenkie de Jong të Barcelona-s. Huddlestone do t’u ofronte të rinjve të United shumë eksperiencë.

Ai ka luajtur 580 ndeshje me klube si Derby, Hull dhe Tottenham. Gjithashtu, ai ka luajtur edhe katër ndeshje me kombëtaren e Anglisë, me të fundit që ka qenë në 2012-ën.