Tifozët e Manchester United po planifikojnë një protestë të re kundër familjes Glazer në prag të ndeshjes së parë të Erik ten Hag në drejtim të Djajve të Kuq këtë fundjavë.

Drejtuesit e gjigantëve të futbollit anglez shpresonin që marrja e teknikut holandez do të ndihmonte në qetësimin e tifozëve, të cilët e kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre në sezonet e fundit kundër pronarëve të klubit.

Por duket se kjo shpresë ka qenë e kotë, me tifogrupin “The 1958” që duket se do të organizojë një protestë tjetër këtë të diel.

Sipas Telegraph, The 1958 duan që tifozët e tjerë t’u bashkohen atyre para fillimit të ndeshjes së parë të United në sezonin e ri të Premier League dhe të marshojnë drejt Old Trafford.

Në një postim të bërë në profilin e tyre në Twitter, The 1958 kanë shkruar: “Familja Glazers nuk është e përshtatshme për klubin tonë.

“Ne do ta mbështesim gjithmonë klubin. Ne do ta mbështesim gjithmonë trajnerin. Ne do të ngrihemi gjithmonë kundër pronarëve aktualë dhe çdo kukulle që vendosin në drejtim të klubit.

“E ardhmja e klubit tonë është i vetmi motivim i yni. Për disa gjëra ia vlen të luftosh”, lexohet në komunikatën e publikuar nga tifogrupi i Djajve.

Pikërisht me disa pjesëtarë të The 1958 është takuar drejtori ekzekutiv i United, Richard Arnold, qershorin e kaluar në një lokal.

Në atë takim sekret, Arnold duket se ka pranuar se ai nuk ishte i kënaqur me punën e bërë nga klubi në vitet e fundit. “Nuk mendoj se kemi bërë një punë të mirë me paratë që kemi shpenzuar”, ka thënë ai.

“Kemi shpërdoruar një shumë të madhe parash. Sezoni i kaluar ishte një makth. Kam urryer çdo minutë të atij sezoni”.