Vala e re e rritjes së çmimeve uli akoma më shumë fuqinë blerëse të qytetarëve. Tashmë qytetarët kanë frikë se produktet bazë ushqimore do të bëhen luks në tryezën e tyre. Me përfundimin e masave për marzhet e ngrira dhe uljen e TVSH-së për ushqimet dhe energjinë, pohojnë se ka një diferencë të madhe në çmimet e produkteve që i blejnë çdo ditë nga marketet.

Ekipi i Alsatit takoi rastësisht një qytetar që jeton prej kohësh në Holandë. Sipas tij, në Maqedoni çmimet e shumicës së produkteve ushqimore dhe rrymës janë më të larta se në këtë shtet të Evropës Perëndimore ku pagat janë disa mijëra euro.

Atje e blej një kilogram mollë 60 denarë, dardha 60 denarë dhe këtu janë 80 denarë. Është dy herë më shtrenjtë në Maqedoni. Unë blej mish pule, ju them se atje është më lirë, këtu është shumë më shtrenjtë. Energjia elektrike atje është më e lirë se këtu”, u shpreh një qytetar.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi një ditë më parë tha se skadimi i masave kundër krizës nuk mund të shkaktojë një rritje kaq marramendëse të çmimeve të produkteve.

Sipas tij, disa tregtarë po manipulojnë me rritje të paarsyeshme të çmimeve. Bytyqi ka bërë të ditur se inspektorët në terren do të bëjnë kontrolle të intensifikuara te tregtarët.