Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në vizitën e parë zyrtare në Serbi përcolli mesazhin e shtetit të tij se ky rajon do të jetë një nga prioritetet e politikës së jashtme gjermane në vitet e ardhshme.

Në anën tjetër, Vuçiq u tregua shumë pro-europian, duke u zotuar para emisarit gjerman se Serbia “do të ndjekë rrugën drejt BE-së edhe më intensivisht”.

Në bisedën mes tyre zu vend edhe tema e Kosovës dhe dialogu i saj me Serbinë. Siç njoftoi Presidenca e Serbisë, Sarrazin dhe Vuçiq u pajtuan që bisedimi është “mënyra e vetme e drejtë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme”.

Në këtë drejtim, Vuçiq i kërkoi Sarrazinit “mbështetje konstruktive” mbi të gjitha për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës, duke shtuar se ky asociacion “ka munguar për më shumë se nëntë vjet”.

Vuçiq vazhdoi duke thënë se Serbia i kushton një rëndësi të madhe Procesit të Berlinit, “si një forum për forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e procesit të pajtimit dhe tejkalimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara, si dhe një forum që mbështet integrimin europian të Ballkanit Perëndimor përmes projekteve dhe masave konkrete”.

Por, gjithashtu, Vuçiq lavdëroi edhe nismën e Ballkanit të Hapur, për të cilën tha se “përfaqëson një tjetër qasje proaktive të Serbisë për integrimin rajonal”. Edhe këtu, Vuçiq kërkoi nga BE-ja që kjo nismë të njihet si “përpjekje”.