Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po gënjen, pasi shefja e shtetit tha se Serbia i ka kushtëzuar disa vende afrikane që ta tërheqin njohjen e Kosovës duke i ofruar vaksina ruse në kohën kur po përballeshin me mungesën e tyre.

Atij i ka reaguar Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Osmani, raporton Gazeta Express.

Vela ka shkruar se Vulini po gënjen dhe po përdor gjuhë të urrejtjes.

“Serbia joshi vendet në Afrikë dhe Lindjen e Mesme me donacione vaksinash që të mos e njohin Kosovën. Shihni postimin e fundit për dhurimin e vaksinave në Ugandë, që i referohet Kosovës”, shkroi Vela në Twitter, duke bashkëngjitur një link të ministrisë së Punëve të Jashtme në Serbi.

Vulin tha se Serbia i ka ndihmuar vendet afrikane pa i kushtëzuar.

“Serbia dërgoi teste për Covid edhe në Prishtinë, ndaj nuk e kushtëzoi me asgjë, ashtu siç i dha Prishtinës edhe pajisje mjekësore, pavarësisht dokumenteve doganore jo të plota dhe të pasakta”, tha Vulin.

Sipas tij, mijëra shqiptarë nga Kosova kanë shkuar dhe janë vaksinuar në Bujanoc, Preshevë e Vranjë.

Tutje, Vulin eskaloi në fyerje nga presidentes Osmani, transmeton Express.

“Duhet ta keni barkun si Vjosa Osmani, që të gëlltisni dhe të thoni një gënjeshtër kaq të madhe për Serbinë”, tha Vulin.

Presidentja Vjosa Osmani, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax që po mbahet në Kanada ku tha se vendet autokrate si Rusia kanë abuzuar me situatën e pandemisë dhe shpërndarjen e vaksinave, derisa theksoi se Serbia ato i ka përdorur kundër Kosovës.

“Rusia ka dërguar shumë vaksina ruse në Serbi. Serbia është e interesuar që ta luftojë Pavarësinë e Kosovës, derisa shumë vende në Afrikë nuk kishin vaksina. Serbia ka përdorur vaksinat ruse duke i dërguar në disa vende në Afrikë duke iu thënë se do t’iu japim vaksina nëse do ta çnjihni Kosovën”, ka thënë Osmani.