Kreu i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka folur rreth tërheqjes së një pjese të mjeteve nga Fondi Pensional.

Pak para shqyrtimit të Projektligjit për Fondin Pensional, deputeti Muja, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kundërshtoi me sërë argumentesh ndryshim-plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional.

“Propozimin si të tillë e kemi vlerësuar si të tillë që i shkon në favor pesë për qind të qytetarëve, për të cilët ne vlerësojmë se i kanë punët mirë në shoqëri”, tha Muja.

Ai përmendi kundërshtimin, siç tha ai, “të fuqishëm” të Fondit Monetar Ndërkombëtar ndaj Projektligjin për Fondin Pensional.

Muja tha se projektligji është dizajnuar për dëmtimin e shtresave të varfra të shoqërisë.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.